![[Artikull] Filiza të thatë (u186u)___dry_plant____by_all17](https://2img.net/h/www.mesazhi.com/modules/news/images/option6/(u186u)___dry_plant____by_all17.jpg)
Nga: Dr Selman Aude
Im bir, më vendosi para disa alternativave të vështira, kur më drejtoi këtë pyetje:
“Je duke ngarë një makinë, e cila nuk nxë më shumë sesa shoferin dhe një person tjetër. Gjatë rrugës, shikon tre persona që kanë nevojë për ndihmë; njëri është një grua e moshuar të cilës i lipset ndihma e shpejtë urgjentisht; një tjetër është një miku yt i ngushtë i cili të ka shpëtuar jetën dikur; i treti një person i famshëm, prania e të cilit të bën krenar dhe të lumtur. Cilin prej të treve do të merrje me vete në makinë?”
Pasi pikasi hutimin në fytyrën time, im bir u përgjigj:”Jepja çelësat e makinës mikut tënd të ngushtë që të ka shpëtuar jetën dhe kërkoji që të transportojë të moshuarën për në spital. Ndërkohë, ti qëndro në shoqërinë e personit të famshëm, derisa të vijë autobusi.”
Mandej, ai renditi një sërë alternativash të tjera dhe më tha se nuk duhet të biem pre e përgjigjeve të shpejta dhe të gatshme si, ose... ose!
Kur ishim të vegjël dhe shëtisnim nëpër fusha, e argumentonim tharjen e një peme, me faktin se mund ti këputen lehtësisht filizat... E tillë është dhe fusha e jetës, e cila përqafon filizat e gjelbër, duke hequr dorë përfundimisht nga ato të tharët.
I gjithë universi, jetën e dashuron
Ai e përçmon të vdekurin, i cili më nuk rron
Qielli, zogjtë e ngordhur më nuk i përqafon
As bleta tek lule e thatë për nektar nuk kërkon.
Prandaj dhe të moshuarit e mbushur me përvojë, kur bisedojnë lidhur me problemet dhe sfidat e jetës, këshillojnë njëri-tjetrin me fjalët:”Mos u bëj i thatë se thyhesh, por as dhe i lëngësht, se shtrydhesh.” Është një thënie popullore që hyn tek parimi i ruajtjes së ekuilibrit të së mesmes së artë.
Por unë personalisht, tek kjo thënie lexoj konceptin e fleksibilitetit, i cili motivon për më shumë sukses në marrëdhënie, bisedime dhe kapërcim të krizave.
Mos duhet që njeriu të bëhet i prerë dhe i vendosur në të gjitha çështjet? Apo mos është më mirë që të jetë i aftë të familjarizohet dhe të kërkojë alternativa të reja?
Fleksibiliteti është aftësia për të lëvizur mes vendosmërisë dhe luhatjes, mes ashpërsisë dhe butësisë. Ajo nënkupton kontrollin e situatës dhe jo dorëzimin ndaj saj.
Fleksibiliteti nuk është një moto apo tipar i një rryme apo një personi. Ai është një shkallë, në të cilën kur hedhim hapa për tu ngjitur, përballemi me vështirësi dhe pengesa nga brenda vetes por dhe nga jashtë saj. E rëndësishme është të jemi në këtë rrugë. Kur të rritemi, maturohemi dhe na shndërrohet në tipar, na mbush me urtësi, maturi dhe qetësi.
Pas kushedi sa vitesh të shumtë, jam mësuar ti pranoj njerëzit ashtu siç janë, edhe njerëzit e afërt. Nuk i kritikoj dhe nuk ka përse t’ua rëndoj me fjalë. Nuk pres nga të tjerët më shumë sesa mund të bëjnë!
Fleksibiliteti mendor të mundëson përmbushjen e objektivave personale dhe të përgjithshëm me sukses, si dhe eksplorimin e shanseve të reja, madje shndërrimin e krizave në shanse.
Fleksibilitet do të thotë që të mos mbetesh rob i një stili të caktuar, me të cilin mund të ndëshkohesh duke të privuar prej tij, por të kesh aftësitë për të krijuar alternativa më të mira.
Mos i fut të gjitha vezët në një shportë!
Dil nga stili tradicional i të menduarit!
Mos lejo që politika jote të bazohet vetëm tek opozitarizmi, sikur mos kishe asnjë proekuptim tjetër përveç shembjes së ngrehinave të tjerëve!
Është gabim të mendohet se fleksibilitet do të thotë të dorëzohesh. Në fakt, ai është një formë tjetër të shprehuri.
Është krejt e lehtë ti japësh një personi një informacion të ri, por nuk është kaq e lehtë ti mësosh të ndryshojë një zakon dhe ves, nëpërmjet të cilit i shihte gjërat. Zbulimet magjike që kanë të bëjnë me trurin njerëzor, theksojnë aftësinë e tij për të eksploruar alternativa të reja dhe përdorimin e metodave jotradicionale për zgjidhjen e problemeve.
Fleksibiliteti është sukses në veprimtarinë politike, edhe me kundërshtarët. Do të ishte disfatë e madhe nëse performanca bazohej vetëm tek njëanësia mes pozitës dhe opozitës. Mund të krijosh aleancë me palë të shumta, me të cilët ndan objektiva, qoftë dhe në mënyrë të pjesshme dhe për pak kohë... Humbja e fleksibilitetit është shkak i dështimit në plane, disfatës në performancë, humbje të orientimit, por edhe humbje të parave.
Fleksibilitet social, do të thotë hapje ndaj shoqërive, zonave dhe fiseve të ndryshme nga ti, me besim dhe siguri tek vetja dhe aftësitë e saj, duke i mirëkuptuar stilet e tyre të jetesës, format e shprehjes dhe verbalizmit të shqetësimeve, marrja e të dobishmes dhe refuzimi i të dëmshmes, edhe pse kjo e fundit mund të jetë e përhapur.
Fleksibiliteti dhe elasticiteti i trupit, është shkak për shkathtësi të reja dhe fitore të njëpasnjëshme në lëmin e sportit. Prandaj dhe elementët e stërvitjes quhen ushtrime.
Fleksibiliteti mendor dhe mos prerja si me thikë e atyre çështjeve që përmbajnë më shumë se një këndvështrim, të fal më shumë kohë për eksplorim dhe dialog me të tjerët, të mbron nga fanatizmi për rezultatin që ke arritur, të cilin e besoje si përfundimtar, por që nuk doli ashtu!
Një person nevrik, i nxituar dhe euforik, i cili nuk është ushtruar me proces të menduari të thellë, nuk di si të jetë elastik dhe fleksibël.
Nënshtrimi i plotë ndaj vesit dhe zakonit, do të thotë që të shndërrohesh në një protokoll të ngurtë, i ngjashëm me çrregullimet obsesive kompulsive. Shumica e personave me çrregullime psikologjike, vuajnë nga ngurtësia e mendimeve të tyre.
Gjatë dialogut, palën tjetër mund ta bësh të ndihet si në ferra, ose mund ti thuash që ke të pjesërisht të drejtë dhe se këndvështrimi yt është i vlerësuar.
Fleksibiliteti emocional shpaloset më qartë tek thënia e hazreti Aliut, Zoti qoftë i kënaqur me të, ku thotë:”Duaje mikun deri një farë mase, dikur mund të bëhet armiku yt. Urreje armikun deri në një farë mase, dikur mund të bëhet miku yt.”
Kurse arabët e lashtë thoshin:”Mos fal dashuri që të vë në siklet, as urrejtje që të shkatërron krejt.”
E bardha dhe e zeza nuk janë ngjyrat e vetme të listës së ngjyrave. Në historitë që na thuheshin në vegjëli, kishte vetëm dy palë: E mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara. Mesa duket, diçka e tillë është gdhendur thellë në psikologjinë dhe mentalitetin tonë, saqë kemi rënë në sevda të madhe me kategorizimin në dy pjesë. Ndërkohë, çështja është shumë herë më e gjerë sesa kaq. Vetë ideja e kategorizimit, nuk është e suksesshme gjithmonë!
Fleksibiliteti është shkaktar i lumturisë dhe kënaqësisë. Ti ke gatishmëri për të fjetur gjumë në çdo kohë dhe vend, në aeroplan apo tren, në shtrat të butë e të ngrohtë, apo mbi diçka të fortë. Fleksibiliteti të mundëson ndryshimin e stilit të ngrënit dhe vakteve, të fal predispozicion dhe guxim për të provuar dhe ndërvepruar me të ngrohtin dhe të nxehtin, me të gjithë shtresat e njerëzve. Kështu, do e shijosh më shumë udhëtimin dhe ekskursionin, do të ambientohesh më shpejt me humorin e miqve, ushtrohesh për eksplorimin efektiv, pa zhurmë dhe potere!
Përktheu: Elmaz Fida
Allahu ju shperbleft per postimin.
![[Artikull] Filiza të thatë 8THII](https://i.imgur.com/8THII.gif)
▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬ஜ۩۞۩ஜ▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬
. . . . . . . . . . . . . . . . .Namazi im . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . Kurbani im . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Jeta ime dhe Vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.
O Zoti ynë, na bere prej atyre qe kanë përfundim të mirë . . . . .
. . . . . . . . . . . . . . . . . . .A M I N . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬ஜ۩۞۩ஜ▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬▬